Një sherr mes dy të rinjve përfundoi në mënyrë tragjike këtë të shtunë në Tiranë. Darmend Keli, 25 vjeç, goditi me thikë Amarildo Hoxhallarin, i cili si pasojë humbi jetën. Fillimisht 34-vjeçari mbeti i plagosuri dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, por disa minuta më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në zonën e Astirit, teksa agravimi i situatës mes dy të rinjve dyshohet se ka ardhur pas ngacmimit nga viktima të një vajze në rrugë, e cila ishte e dashura e 25-vjeçarit. Fillimisht ata debatuan mes tyre dhe më pas Darmend Keli ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar 4 herë 34-vjeçarin.

25-vjeçari u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes për t’u arrestuar pak minuta më vonë nga policia. Ndërkohë që mësohet se viktima Amarildo Hoxhallari ka qenë i skeduar më parë nga policia për një ngjarje në vitin 2015 ku u dyshua se u përfshi së bashku me të afërmin e tij Aurel Hoxhallari, në organizmin e një ngjarje të rëndë kriminale që përfundoi me disa të plagosur dhe një person të vrarë.

Tv Klan