Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Shqipërisë që t’i dërgojë me urgjencë mocionin e paraqitur nga opozita për shqyrtimin e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Sipas kryetares së GJK Holta Zaçaj “asnjë organ nuk ka të drejtë të vërë në diskutim apo të mos zbatojë vendimet që merr Gjykata Kushtetuese”.


Më datë 11 Prill 2024, Kuvendi ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke mos zbatuar nenin që e parashikon se vendimet janë përfudnimtare dhe të detyrueshme për zbatim.  Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese ashtu dhe me atë arsyetuese të vendimit. Detyrimi i takon Kuvendit për të çuar në gjykatë mocionin e 1/10 të deputetëve për mos pajtim të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Kuvendi mbart detyrimim për ekzekutim pa vonesë të vendimit”, tha Zaçaj.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë vendosi më 11 prill 2024 që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj.

Tanimë pritet të shohim çfarë do ndodhë në seancën e nesërme plenare. A do e sfidojë sërish Kuvendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo më në fund do jepet verdikti për Olta Xhaçkën?

Opozita pretendon se kjo e fundit është në kushtet e konfliktit të interesit për të vijuar mandatin e saj si ligjvënëse, kjo pasi bashkëshorti i saj Artan Gaçi është shpallur investitor strategjik nga qeveria.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, sot më datë 10.07.2024, konstatoi se vendimi i saj nr. 1, datë 23.01.2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.

Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim në respekt të nenit 132, pika 1, i Kushtetutës. kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi. 

/tvklan.al