“Fundi i Dhjetorit shansi i radhës për negociatat me BE-në”

Kryeministri Zoran Zaev, pas kthimit nga Sllovenia, ku mori pjesë në Foumin e Bledit, është shprehur optimist se vendit, deri në fund të vitit, do t`i jepet “drita jeshile” për çeljen e negociatave.

Sipas tij, çelësi qëndron në formimin e qeverisë politike në Bullgari gjatë muajit Nëntor, por edhe optimizmit të shfaqur nga Presidenti bullgar Rumen Radev për zgjidhjen e kontestit.  

“Personalisht, unë besoj edhe në hapat që duhet të ndërmerren nga ana lidershipit evropian në të gjitha shtetet dhe në Bullgari, nga ana e Presidentit Radev. Gjatë kësaj periudhe nuk duhet të ndërmarrim veprime shtesë, pasi ne kemi realizuar gjithçka çfarë është obligim i yni, duke përpiluar edhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Të gjithë së bashku mund të përqëndrohemi në tezën se Bullgaria mund të marrë një vendim pozitiv dhe t’i japë gjasë zbatimit të mëtutjeshme të Marrëveshjes dhe Udhërrëfyesit”.

Kryeministri Zaev e ka quajtur antikushtetues përdorimin e shkurtesës së emrit të ri të vendit, duke thënë se kjo paraqet ofendim për shtetin dhe mosrespektim të Kushtetuës.

Ai ka bërë thirrje të shfrytëzohet emri kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut. Një reagim i këtillë i Kryeministrit vjen pas përdorimit të shpeshtuar edhe nga politikanët të shkurtesës së emrit kushtetues.

“Së pari vendi ynë quhet RMV e jo Republika V. e Maqedonisë. Kjo është nënçmim për vendin, Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Prespës. Unë mund t`i kuptoj mospajtimet, por të gjithë jemi dakord për demokracinë. Demokracia thotë se kjo është Kushtetuta e re vendit që është votuar me dy të tretat e votave për shkak të perspektivës së fëmijëve, të rinjve dhe integrimeve tona në NATO dhe BE”.

Shkupi dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së vlerësojnë se duhet të hiqet vetoja bullgare dhe RMV-ja të fillojë negociatat.

Nuk ka opsion tjetër përveç Ballkanit evropian Perëndimor dhe për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet ta mbajë premtimin për Shkupin dhe Tiranën që të hapet procesi negociues.

Ky ishte mesazhi që dje u dërgua nga Forumi i Bledit ku morën pjesë liderët e vendeve të rajonit por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.  

Tv Klan