Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Qeveria Shqiptare ka vendosur masa lehtësuese për licensimin dhe tregtimin e produkteve energjitike si nafta, gazi dhe energjia elektrike, në mënyrë që të ulet çmimi i shitjes së tyre në treg.

Në lidhje me këto masa Ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit, Zef Preçi shprehet:

Zef Preçi, Ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit:- “Në zbatim të ligjit përkatës aprovuar në Mars të vitit të kaluar janë rishikuar kushtet e licensimit të kompanive që ushtrojnë importimin dhe tregtimin e karburanteve dhe nënprodukteve të tyre me synim që të zbatohet ky ligj, por të lehtësohen kushtet e licensimit, përsa i takon kapitalit të nevojshëm për marrjen e licensës dhe vëllimit të kapacitetit të nevojshëm për ushtrimin e kësaj tregtie. Kapitali i nevojshëm i ngurtësuar në momentin e marrjes së licensës nga 70 milion lekë për naftën zbret në 30 milion, përsa i takon gazit te lengshem zbret ne 2 milion nga 30 milion që ishte, po kështu dhe për licensën e kategorisë që ka të bëjë me gazoilin për aeroplanët, po kështu zvogëlohet 10 herë. Në të njëjtën kohë kapaciteti depozitues i nevojshëm për ushtrimin e tregtisë me shumicë të naftës dhe nënprodukteve të saj nga 7 mijë ton zbret në 3 mijë ton dhe njëkohësisht përsa i takon gazit të lëngshëm si lëndë alternativë në këtë periudhe të ftohtë të dimrit, hiqet barriera, pra njerëzit mund të importojnë me kusht që brenda 1 Majit të vitit të ardhshëm të mund të kenë krijuar kapacitetin e nevojshëm depozitues”.

Gazetari:- Përsa i përket gjendjes të furnizimit me energji elektrike, cilat janë masat e mëtejshme, do të vazhdohet të importohet apo është arritur zgjidhja brenda vendit?

Zef Preçi, Ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit:- “Për të shmangur, për të mirmbajtur rrjetin ekzistues sistemin energjitik të vendit do të vazhdohet importi dhe Qeveria vendosi sot që KESH-it me procedurë të shpejtuar, pra me ftesë për kuotim të negocioje me kompanitë e vendeve fqinje që ofrojnë energji elektrike në mënyrë që të mund të stabilizohet situata në rrjetin energjitik ekzistues dhe të mund të sigurohet më mirë se deri tani furnizimi me energji elektrike i vendit”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame