Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski shkarkon komandantin e trupave ukrainase që luftojnë kundër rusëve në lindje dhe jug të vendit. Gjeneral Lejtnant Juri Sodol u shkarkua nga posti i lartë, pas pak më shumë se 4 muaj në këtë detyrë. Zelenski nuk dha argumente, por sipas mediave ndërkombëtare, ai është kritikuar gjerësisht për performancë të dobët në luftën kundër rusëve dhe për paaftësi.

Pak orë para vendimit, shefi i shtabit të brigadës “Azov”, majori Bogdan Krotjeviç dorëzoi një ankesë pranë Zyrës Shtetërore ukrainase të Hetimeve, ku thoshte se nën komandën e gjeneralit Sodol, janë vrarë më shumë ushtarë ukrainas se nën çdo gjeneral tjetër rus.

Vendin e Sodol e zuri Andrij Knatovin që ka mbështetjen e kreut të “Azovit” e konsideruar edhe nga perëndimi se njësi me bindje ekstremiste të djathta. Ai ka mbështetjen edhe të kreut të njësisë. Që prej fillimit të këtij viti, ushtria ukrainase e ka patur të pamundur të ruajë vijën ndarëse me trupat ruse, që kanë avancuar veçanërisht gjatë sulmeve në rajonin e Harkivit.

Perëndimi ka shtuar dërgesat me armë, municione dhe financime, megjithatë problem mbetet rekrutimi i ushtarëve, të cilët në shumicën e rasteve nuk pranojnë dhe i fshihen jashtë vendit shërbimit të detyrueshëm.

Tv Klan