Ka mbërritur sot në Tiranë Zëvëndës Kryeministri Kroat Mate Graniç. Pikërisht bashkëpunimi me rajonin në paktin e stabilitetit, ka sjellë në Shqipëri numrin dy të qeverisë së Kroacisë. Ai është takuar me Presidentin Mejdani, Kryeministrin Majko, Kryeparlamentarin Gjinushi dhe Ministrin e Jashtëm Paskal Milo.

Në takimin me Kryeministrin Majko, Graniç ka nënvizuar se Kroacia është e interesuar për të forcuar marrëdhëniet me vendet e Rajonit përballë Paktit për Europën Juglindore që është një shans i mirë për të gjithë. Dëshira për zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë nuk varet nga ngjyrat e qeverisjes në Kroaci, vijoi ai pasi pozita dhe opozita janë njëjtë të interesuara në këtë drejtim.

Kryeministri Majko ka theksuar se në tregun e ri që po krijohet në Ballkan, Shqipëria mirëpret praninë e kapitalit dhe investimeve kroate. Pozitive do të jetë tha ai dhe përfshirja e Kosovës në këtë kapital. Në këtë takim kanë nënvizuar se fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit janë infrastruktura dhe transportet. Gjithashtu Majko ka kërkuar mbajtjen e një takimi trepalësh midis autoriteteve shqiptare, kroate dhe malazeze për ruajtjen e stabilitetit në Malin e Zi./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego