Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Demokrate të Re Genc Pollo ka votuar në Qendrën 1833. Pas daljes jashtë nga kjo qendër ai ka deklaruar se ka besim në procesin e votimit, por njëkohësisht bënë një lutje drejtuar të gjithë zgjedhësve, që ende nuk e kanë marrë rrugën në kutitë e votimit, që sot të ushtrojnë të drejtën e tyre.

Genc Pollo:- “Shpresoj shumë që këto votime do shkojnë mirë është shumë e rëndësishme që gjithkush të votojë. Unë do t’i kërkoja të gjithë atyre qytetarëve që ende nuk i janë drejtuar kutive të votimit ta bëjnë këtë sot, le të harxhojnë gjysmë ore, sepse në fund të fundit është koha që të vendosin për vete”.

Ndërsa kryetari i PDK Nikollë Lesi vëren një situatë të tensionuar zgjedhore. Për të kjo është një tendencë për manipulim. Ai rendit një sërë parregullsish.

Nikollë Lesi:- “Në komunën e Ksamilit, persona që nuk banojnë në këtë komunë, janë pajisur me certifikata nga zyrat e gjendjes civile për të votuar dhe që njihen si militantë të PS. Në komunën e Shëngjinit, në qendrën e votimit nr.0715, ka dy palë listash zgjedhësish. Ndryshe janë të vendosura të afishuara jashtë dhe të tjera lista janë paraqitur nga komisionerët brenda në qendrën e votimit. Në komunën e Dajçit, burri i kandidates së PS ka hyrë me pistoletë dhe ka kërcënuar përfaqësuesit e PDK, për të cilën është lajmëruar dhe policia”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti