Në ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale më 22 Mars gatishmëria e policisë në Maqedoni do të jetë në nivelin më të lartë për të minimizuar çfarëdolloj mundësie për incidente zgjedhore, paralajmëroi sot Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankuloska, duke prezantuar planin operativ policor të quajtur “Zgjedhjet 2009”.

Gordana Jankuloska: “Prezenca e shtuar e policisë posaçërisht është paraparë në vendet në të cilat në të kaluarën janë vrenjtur incidente. Në rast nevoje për sigurimin e zgjedhjeve do të aktivizohet edhe policia kufitare, policia rrugore, si dhe njësitë speciale të policisë”.

Jankuloska apeloi te partitë politike dhe të qytetarët që më 22 Mars të dëshmojnë se Maqedonia mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Ajo shpreh kënaqësinë e vet që deri tani nuk është shënuar ndonjë incident serioz parazgjedhor.

Mbajtja e zgjedhjeve fair dhe demokratike më 22 Mars ka rëndësinë të madhe për ardhmërinë demokratike të Maqedonisë.

Policia nuk do të tolerojë askënd që synon të pengojë qytetarët ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për anëtar të ndonjë partie apo për kriminel ordiner.

Policët do të jenë prezentë në të gjitha vendvotimet. Ditën e zgjedhjeve policët që sigurojnë procesin zgjedhor do të mbajnë uniforma që dallojnë nga uniformat e zakonshëm.

Të dyshuarit eventual për pjesëmarrjen në parregullsi zgjedhore do të arrestojnë dhe do të gjykohen me procedurë të shpejtë. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu