Komuna e Gostivarit pritet të jetë arena në të cilën do të zhvillohet gara më e paparashikueshme mes kandidatëve shqiptarë për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 22 Marsit në Maqedoni.

Rufi Osmani, i cili kthehet në politikë pas 12 viteve që kur policia maqedonase largoi nga posti kryetarët e komunës, përballohet me Nevzat Bejtën, kryetarin aktual, i cili llogaritet ndër kryetarët më të suksesshëm komunal në Maqedoni në katër vitet e kaluara.

Që të dy kanë përparësitë e veta. Rufi Osmani gëzon autoritet tek elektorati për shkak se në vitin 1997 si kryetar i komunës së Gostivarit u bë simbol i mbrojtjes së flamurit shqiptar, për çka dhe u arrestua nga policia.

Përmes garës për postin e kryetarit të komunës ai synon të kthehet sërish në skenën politike shqiptare.

Rufi Osmani: “Unë synoj që të rikthej një mandat, i cili me dhunë mu mor para 12 viteve, të rehabilitoj qytetin tim dhe në këtë mënyrë të ofroj një alternativë të mirëfilltë, e cila sot kryesisht do konkurron me ide ekonomike, sociale, arsimore dhe të hapim një perspektivë të re zhvillimore për komunën e Gostivarit. Motivet janë më të shumtat, do përmend disa më karakteristike. Këto 12 vitet e abstenimit tim në politikë unë në mënyrë permanente jam ndesh me një kërkesë permanente të qytetarëve, të studentëve, të rinjve, të pleqve, të rikthehem në skenën politike. Këto 12 vite kam pas prioritete të tjera jetësore dhe kam vlerësuar dhe koha ka verifikuar se nuk ka qenë koha e përshtatshme për t’u rikthyer në politikë. Pavarësisht se a fitoj ose nuk fitoj, dhe pse jam i bindur se fitorja tashmë është evidente unë vazhdoj dhe më tutje të merrem me politikë, por variante se si do jetë ajo marrja ime me politika vetëm në kuadër të pushtetit komunal ose dhe në kuadër të nivelit nacional do vendoset në një fazë të ardhshme”.

Deri në kandidimin e Rufi Osmanit llogaritej se kryetari aktual i Gostivarit, Nevzat Bejta, pa ndonjë problem të madh do të fitojë dhe një mandat të ri.

Ai personalisht është i bindur se as paraqitja e Osmanit nuk do t’ia prishë hesapin, sepse është i bindur se qytetarët do ta vlerësojnë punën e tij gjatë katër viteve të kaluara.

Nevzat Bejta: “Për motivin dhe kandidimin tim nuk është motivi im, por është motivi i shumicës së qytetarëve të komunës së Gostivarit. Është motivi i të gjitha strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim këtu në Gostivar dhe përkrahjen që kam pas unë totale nga anëtarët e kryesisë qendrore të udhëhequr nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti. Për shkak se për katër vjet të qeverisjes time në qytetin e Gostivarit ndodhën ndryshime të mëdha. Në program ne kemi paraparë realizimin e 100 projekteve. Projektet ne i kemi bërë, por projekti si projekt nëse nuk ka leje ai nuk mund të realizohet asnjëherë dhe ne përveç se kemi bërë projektet kemi bërë edhe lejet”.

Përveç Bejtës dhe Osmanit për kreun komunal në komunën e Gostivarit, e cila ka 70 mijë votues, garojnë edhe katër kandidatë të tjerë, mirëpo atyre nuk u jepen gjasa reale për fitore. Nga Gostivari për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu