Dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final u vunë në sekuestro nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të hetimeve për dosjen e mashtrimit me anë të mikrokredive.

Hetuesit thonë se të dy këto kompani në bashkëpunim edhe me disa të tjera, me ndihmën e një eksperte vlerësuese, krijuan një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve.

Aktualisht vlera e zhvatjes llogaritet në disa milionë Euro.

“Që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të  tyre, të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija, këto kompani kanë pasur mendimin unik kriminal, duke krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro”, njofton Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria e Tiranës thotë se nga hetimet ka rezultuar se këto kompani dhe personat nën hetim me masa sigurimi të lëshuara më herët, kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme, u kanë bërë presion qytetarëve të merrnin kredi të reja.

I kanë gënjyer dhe rritur atyre detyrimin që kishin për të paguar, si dhe kanë sekuestruar në mënyrë të paligjshme prona dhe llogari bankare për shlyerjen e tyre.

Më herët Prokuroria e Tiranës vuri në masë arrest në burg 5 persona dhe 4 të tjerë në “Arrest në shtëpi” si personat që kishin vënë në jetë skemën mashtruese me kreditë e këqija.

Tv Klan