Lajme Arkiva – TV Klan 2004

10 muaj pas denoncimit të një të miture dhe hapjes së dosjes hetimore që u pagëzua si skandali i Bisht Pallës, prokurorë të çështjes kanë kërkuar një vlerësim mjeko-ligjor të gjendjes psikike të të miturës, duke hedhur dyshime mbi vërtetësinë e dëshmisë së saj të shfrytëzimit seksual nga tutorë, ushtarakë të bazës së Bisht Pallës dhe policë shqiptarë, persona të marrë deri tani si të pandehur.

Zyra në Mbrojtjen e Qytetarëve e konsideron këtë kërkesë si zvarritje të drejtësisë shqiptare. Në 10 muaj, vajza është trajtuar nga psikologë të specializuar për rastet e shfrytëzimit seksual. E mitura rezulton e shokuar, por sipas avokatit të ZMQ që e ka ndjekur këtë rast, dëshmitë e saj janë vërtetuar në disa etapa të hetimit.

“Mendoj që është normale për një të mitur, pas asaj tragjedie që i ka ndodhur, që të kalojë edhe në depresion, por kjo nuk do të thotë që autorët dhe vepra penale nuk është kryer. Është një punë e organit të akuzës, e cila duhet të mbledh prova dhe fakte që të vërtetojë dëshmi të saj dhe jo që të zvarrisë çështjen duke kërkuar herë pas here riekspertim psikiatrik përpara komisionit përkatës”.

Vajza është përdhunuar në moshën 13-vjeçare, është shitur fillimisht nga i dashuri i saj, është ndaluar disa herë në kufi e shoqëruar nga tutorë me qëllim prostitucioni dhe është mbajtur në bazën ushtarake të Bisht Pallës. Deri tani për 16-vjeçare viktimë e trafikut, nuk është dhënë nga shteti asnjë status i viktimës, apo dëshmitarit të rrezikuar në mbrojtje.

Disa ditë më parë në seancën e dëgjimit në Kongresin Amerikan, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve raportoi, se dobësia e strukturave të drejtësisë, ka penguar goditjen e trafikut të qenieve njerëzore, e kryesisht të femrave në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj