Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pesë ditë që komunikohet me tarifa më të larta dhe pak më shumë se kaq Zyra për Mbrojtjen e Qytetarit ka publikuar shkeljet e Albtelecom. Mbrojtja e interesave të shtresave më të pa favorizuara me mjete ligjore do të vazhdojë nga zyra CAO.

Avokati i Qendrës Kreshnik Spahiu, i ka dorëzuar Avokatit të Popullit dosjen ankimore me peticionin e firmosur nga 6 mijë abonentë. Me këtë peticion kërkohet shfuqizimi apo dhe revokimi i këtij akti normativ.

Kreshnik Spahiu:- “Sot ZMQ, vendosi të përfaqësojë interesat e mijërave qytetarëve, të shprehur nëpërmjet një peticioni lëvizës në shumë qytete të Shqipërisë, t’ia paraqesë atë qeverisë shqiptare, Entit Rregullator dhe në veçanti, institucionit kushtetues të pavarur Avokatit të Popullit, si autoriteti i cili ka tagrin ligjor për të marrë në mbrojtje të drejtat e konsumatorëve. Më së fundmi, Albtelecomi shqiptar pranoi pas shumë kohësh që ka rritur tarifat për pjesën më të varfër të popullsisë për abonentët familjarë, së dyti, nga Enti Rregullator është pohuar se, vendimi për ndryshimin e këtyre tarifave, nuk është aprovuar, por është aprovuar vetëm metodologjia e cila është bërë disa muaj më parë, pra ende nuk ka një miratim zyrtar nga Enti Rregullator”. Avokati Dobjani ka marrë përsipër të bëjë transparencën, duke i kërkuar institucioneve përkatëse, shpjegime rreth kësaj mase.

Ermir Dobjani:- “Zyra e Avokatit të Popullit, ka disa ditë që ka nisur një proces hetimi për këtë çështje dhe materialet që solli zoti kreshnik sot, për të bërë një plotësim të rëndësishëm të atyre çka ne kemi deri tani. Njëkohësisht ju bëj të ditur se sot nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit është nisur kërkesë me shkrim për të dhënë shpjegime ministrit të task forcave, ministrit të ekonomisë, drejtorit të përgjithshëm të Albtelecomit, kryetarit të ZMQ dhe ERT, për të dhënë shpjegime në lidhje me procedurat ligjore për këtë masë, për të cilën publiku shqiptar është vënë në dijeni me vonesë”.

Shoqata e konsumatorëve sjell shqetësimin e saj për mospajtimin me këtë rritje.

“Protestojë për atë që ka deklaruar, se jemi konsultuar më shoqatën e Mbrojtjes së Konsumatorit Shqiptar, e cila përsëritet në nenin 13, ku thotë, se duhet të konsultohet me shoqatën e konsumatorit të Telekomit. Ato jo vetëm nuk konsultohen, por fatkeqësisht bëjnë deklarata përgënjeshtruese. Deklarata të paqena”.

Është ZMQ që ka marrë përsipër të zgjidh apo sqaroj konfliktin ligjor të krijuar mes konsumatorëve dhe Albtelecom./tvklan.al