Lajme Arkiva 2003

Rritja e tarifave telefonike për abonentët e Albtelecomit që u aplikuan të hënën vazhdojnë të ngjallnin shqetësim. Drejtori i Albtelecom-it pretendon se çdo ndryshim mbi çmimin është i bazuar në ligj dhe në kontratën me abonentin. Drejtuesi Noti është munduar të shpjegojë se çmimet e ofruara për bisedat lokale janë më të ulëtat në Evropë, por që sërish mbeten nën koston reale të këtij shërbimi. Ai mendon se Enti Rregullator i Telekomunikacionit nuk është anashkaluar.

“Për procedurat rregullatore, për tarifat që janë objekt kontrolli dhe që detyrohet edhe telekomi të njoftoj me shkrim ERT-në 60 dit përpara zbatimit të tarifave të reja. Albtelecom e ka njoftuar entin rregullator të telekomunikacioneve në vendimin e këshillit mbikëqyrës për ndryshimin e tarifave të këtyre shërbime që ju tashmë i keni parë si nëpërmjet medias elektronikë ashtu edhe nëpërmjet asaj të shkruar që në datën 23 Korrik 2003 dhe jo sikundër është njoftuar dhe cituar nga zyra për mbrojtjen e qytetarëve. Theksoj edhe njëherë tjetër se në asnjë rast, Albtelekom nuk ka anashkaluar entin rregullator të telekomunikacioneve”.

Burime nga enti rregullator i telekomunikacionit bëjnë të ditur se prej këndej nuk ka dalë veprimi aprovues i tarifave të reja, është parë vetëm metodologjia në të cilën jepet mënyra e kësaj rritje, por mbi propozimet dhe argumentin se për se bëhet ky ndryshim nuk është dhënë përgjigje nga enti.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, e para që denoncoi shkeljet sërish pohon se Abtelecom nuk është treguar transparent me veprimet e tij. Përcaktimi i një afati për lidhjen e kontratave të reja me abonentin pa ju bërë atyre të ditur çmimet e ndryshuara lë vend për debat.

Kreshnik Spahiu: Albtelecom-i shqiptar në kurriz dhe në mashtrim të ligjit, ka abuzuar me abonentët shqiptarë të cilët prej javësh kanë qenë të detyruar të lidhin kontratat e reja. Ndërkohë që Albtelecom-i, ka publikuar që dje kanë hyrë në fuqi tarifat e reja. Së dyti, Albtelecom-i nuk disponon një vendim zyrtar të entit rregullator, i cili brenda afatit 60 ditor ti ketë aprovuar këto ndryshime.

Mbështetja e zyrës për mbrojtjen e qytetarëve i ka dhënë edhe lëvizja mjaft e cila dy ditë pas aplikimit të tarifave të reja do të protestojë përpara Telekomit.

Erion Veliaj: Përveç shkeljeve ligjore si miratimi nga ERT-ja, apo bërja publike e faktit kemi edhe pretendime të tjera si çështjet e kostove. Këto duhen bërë të hapura për publikun. Askush nuk e ka bilancin vjetor të Albtelecom-it që të gjykojë publikun nëse vërtetë kjo kompani publike, ku pronar jemi të gjithë ne si shtetas, është vërtet nën kosto dhe pastaj është edhe pyetja tjetër si e përkufizojmë koston e Albtelecom-it. Nëse administrata është e fryrë. Nëse shumë të holla shkojnë për reklama të panevojshme sepse nuk ka konkurrent tjetër dhe për udhëtime turistike të cilat tenderohen nëpër gazeta atëherë ndoshta duhen ndryshuar termat me të cilët flasim për këtë kosto. Del një protestë groteske dhe një shfaqje spektakli, ku do të shikojmë se si njerëzit me kalimin  e kohës do tu kthehen metodave alternative apo primitive të komunikimit njerëzor ndërkohë që Shqipëria shqiptare ka bërë një synim të mijëvjeçarit të çështjeve të komunikimit./tvklan.al