Me 110 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, socialistët dhe demokratët votuan pro amnistisë penale, duke i hapur rrugë lirimit të 700 të burgosurve dhe uljes së dënimit të 40 të tjerëve burra e gra.

Vota e vetme kundër ishte nga e djathta e Agron Shehajt, ndërsa abstenoi nënkryetarja e Parlamentit, socialistja Ermonela Felaj.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij tha se nga amnistia do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 Mars 2024, duke përfshirë edhe 2700 persona në shërbim prove.

Ai hodhi poshtë zërat e një pjese të opozitës se do të përfitojnë nga amnistia zyrtarë të dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion.

Ulsi Manja: Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë, nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, që i shmangen drejtësisë dhe nuk përfitojnë as nga amnistia, por as ulje dënimi personat e dënuar nga GJKKO.

Debat të ashpër pati mes Enkelejd Alibeajt dhe ministrit të Drejtësisë, Manja gjatë propozimit të amendamenteve të grupimit Basha për amnistinë. Alibeaj tha se ato nuk përjashtojnë zyrtarët e niveleve të dyta të akuzuar për korrupsion.

Enkelejd Alibeaj: Djalli qëndron në detaje. 1.5 vite burrat dhe 2 vite gratë e dënuar nga GJKKO, nga SPAK. Ju jepet dora hajdutëve të administratës.

Ulsi Manja: Alibeaj tani e kuptoj se çfarë njeriu mund të jesh kur bashkohet ligësia, shpirti i zi me një jurist që i lexon ligjet nga e prapmja.

Gjatë votimit nen për nen, socialistët rrëzuan në bllok amendamentet e Alibeajt. Kjo solli më pas largimin si të Bashës dhe të Alibeajt nga salla pa u mbyllur votimi në tërësi i këtij projektligji.

Ndërsa u miratuan të gjitha amendamentet e paraqitura nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Do të përfitojnë personat të cilëve iu ka marrë formë të prerë vendimi deri në datën 31.03.2024.

Tv Klan