Shtimi i gjyqtarëve, ndihmësve ligjorë dhe ndryshimet në ligj në mënyrë që disa çështje penale, civile dhe administrative në Apel të shqyrtohen nga një gjyqtar, mendohen si pjesë e një strategjie nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për të ulur numrin e lartë të dosjeve.

Aktualisht, sistemi ka një stok prej afro 114 mijë dosje që janë duke u shqyrtuar tej afateve për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe vonesave të krijuara prej vetingut. Strategjinë e prezantuar këtë të hënë nga KLGJ e përshendeti edhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner.

David Wisner: Numri i lartë i çështjeve gjyqësore të mbetura stok është vonesë e drejtësisë për qytetarët e zakonshëm. Kjo strategji që po zhvilloni është një angazhim për të adresuar nevojat e qytetarëve. 

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se qeveria do të ofrojë mbështetjen e saj.

Ulsi Manja:Unë mendoj që strategjia do ketë ndikime të mëdha pozitive. Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura do rrisë besimin e qytetarëve te institucionet tona të drejtësisë. Do ndihmojë edhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve. Qeveria është e përkushtuar të ofrojë mbështetjen e saj.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato dhe drejtuesja e zyrës së Këshillit të Europës, të cilët ofruan mbështetje për strategjinë dhe kërkuan që situata e stokut të dosjeve të mos përsëritet.

Tv Klan