Erion Veliaj, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, zhvilloi një takim me socialistët e Petrelës, Farkës dhe Baldushkut. Ai siguroi qytetarët se do të vijohet me punë konkrete çdo ditë duke shkuar drejt fitores në 2025.

“Kur mendoj sa njerëz janë bërë me shtëpi në Petrelë, në Baldushk, në Farkë, shumë më të mira se ato që prishi tërmeti, them se e kemi kokën lart. I shohim njerëzit në sy, me premtime të mbajtura, dhe me gjithë të drejtën e Zotit dhe të robit, që të kërkojmë mbështetje për fitoren tonë në vitin 2025”.

Në turin e mirënjohjes në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Veliaj tha se kryeqyteti këtë vit do të presë rreth 15 milionë turistë, falë zhvillimit që bashkia ka bërë në qytet, por nga ana tjetër pati dhe kritika ndaj opozitës për djegien e gomave.

“Nëse vazhdojnë këto ritme, deri në fund të vitit do të kemi mbi 15 milionë turistë. Ose më shumë se një milion në muaj. Pra, një dyfishim i popullsisë në Tiranë, që sjellin dyfish amortizim të rrugëve, më shumë trafik nga turistët, do të ketë nevojë për dy herë më shumë pastrim nga mbetjet që prodhohen nga restorantet, dyqanet, nga çdo pikë ku shërbehet. Më vjen keq për ata shokë – se unë nuk i quaj armiq ata të opozitës, jetojnë në të njëjtin qytet, shihemi në të njëjtat ambiente publike – por vërtet më vjen keq sepse jemi në vitin 2024 dhe djegin ende goma te Bashkia dhe te Parlamenti. Si në mesjetë! Përkufizimi i budallallëkut është: Të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. Po bëre të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do kesh.”

Gjatë fjalës së tij, Veliaj theksoi se vetëm PS-ja ka treguar që di të bëjë shtet dhe qytet, duke u shërbyer qytetarëve pa asnjë dallim.

Tv Klan