Në përkujtim të 541 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeu, Presidenti Topi është shprehur me tone të ashpra ndaj gjithë atyre të cilët synojnë të çmitizojnë figurën e prijësit të arbërve duke i mbiveshur kësaj figure legjendare sipas tij hipoteze që përballë fakteve humbasin terrenin. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri në Konferencën Kombëtare “Familjet e mëdha fisnike shqiptare”, në të cilën ishin të ftuar përfaqësues nga treva të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe përfaqësues të trupave diplomatike të akredituara në Tiranë.

Bamir Topi: “Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtarë, për bëmat, për famën, marrëdhënien që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake dhe politike të kohës, duke u përpjekur sot ta ridimensionoj atë. Ndonjë mendje e robëruar e pajisur me guxim regresiv përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë, apo në historinë e qytetërimit europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione, historia jep leksione”.

Duke vlerësuar kontributet dhe rolin e madh që kanë luajtur familjet e mëdha fisnike shqiptare dhe heroi ynë kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeu. Lideri i PDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti, tha se ky është shekulli i mbarë shqiptarisë dhe integrimit të saj në familjen europiane.

Ali Ahmeti: “Kjo është fillim shekulli i shqiptarëve dhe mbi shpatulla marrin përgjegjësi punë të mëdha me përgjegjësi të ecin përpara në mes shqiptarëve të mos ketë kufi. Shqiptarët sa më parë në Europën e bashkuar, shqiptarët sa më parë në NATO, shqiptarët të begatuar shpirtërisht, fizikisht, materialisht”.

Konferenca u fokusua jo vetëm në debatin për figurën e Skënderbeut, por edhe te goditja e elitave politike, intelektuale, ekonomike e familjeve fisnike shqiptare ndër vite. Ndërkaq debati për figurën e Skënderbeut rikthehet pas qëndrimit të mbajtur dhe nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili i ka quajtur hipotezat e ngritura nga historian të huaj përpjekje për t’u mohuar shqiptarëve ndjenjën e lirisë dhe luftës për ta fituar atë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Klevis Çaka  

Montazh: Ergis Hasanbelli