Liderët e vendeve anëtare të Aleancës Atlantike të Veriut janë mbledhur në Baden Baden të Gjermanisë për të festuar ditëlindjen e 60-të të NATO-s.

Në një ceremoni simbolike krerë shtetesh dhe qeverish u pritën nga mikpritësit e samitit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Mes të shkuarës dhe të tashmes një peshë të rëndësishme merr edhe hyrja në këtë familje të madhe e Shqipërisë dhe Kroacisë.

Shqipëria përfaqësohet me delegacionin e saj të kryesuar nga dy krerët më të lartë presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha.

Topi i shoqëruar nga bashkëshortja u përshëndet nga Merkel, Sarkozi dhe Scheffer, me të cilët më pas kreu edhe fotografinë e radhës.

Për herë të parë në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan, Barack Obama, i cili në një konferencë për shtyp me kancelaren gjermane, Angela Merkel, u zotua për një bashkëpunim më të ngushtë me aleancën dhe më herët përshëndeti dhe anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në aleancën më të madhe ushtarake në botë.

Në darkën e punës të drejtuar nga shefi i aleancës do të dominojë çështja e Afganistanit, marrëdhëniet SHBA-Rusi, por edhe rikthimi i plotë i Francës në NATO.

Në mëngjesin e ditës së nesërme ministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane drejt Strasburgut, të shoqëruar nga kancelarja Angela Merkel, e cila në shenjë paqe do të shtrëngojë duart me presidentin francez, Nikolas Sarkozi, duke shënuar kështu simbolikisht vlerën e paktit të paqes mes dy vendeve.

Gjithashtu pjesë e bisedimeve të sotme do të jetë edhe emërimi i sekretarit të ri të përgjithshëm në vend të holandezit Scheffer, mandat i të cilit përfundon më 31 Korrik.

Dita e dytë e samitit të NATO-s do t’i kushtohet Shqipërisë dhe Kroacisë që marrin vendin e tyre, ndërsa ngritja e flamujve të dy vendeve do të bëhet gjatë një ceremonie të veçantë më 7 Prill./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle