Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Acarohet situata në Maqedoni, por dhuna ndëretnike duket se po i kapërcen marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve brenda Maqedonisë dhe madje po i kapërcen kufijtë e shtetit fqinj. Kështu persona të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri ndërtesën e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni. Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar menjëherë dhe i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme shqiptare Sokol Gjoka, bëri të ditur se shteti shqiptar ka kërkuar edhe përforcimin e masave të sigurisë përreth rezidencës diplomatike dhe garantimin e sigurisë së personelit. Ministria e Jashtme shqiptare u ka kërkuar autoriteteve maqedonase, që të kontribuojnë për zbutjen e frymës anti-shqiptare që mbizotëron ditët e fundit në këtë vend. Marrëdhëniet ndëretnike duket se u acaruan, pas vrasjes së 8 ushtarëve maqedonas të shtunën e kaluar./tvklan.al