Aldo Bumçi: “Deklaroj me të gjithë përgjegjësinë politike dhe morale se gjatë kohës që kam shërbyer në Ministrinë e Drejtësisë shkresat e lëshuara në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë i janë drejtuar vetëm institucioneve shtetërore dhe në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast personave privat dhe as vetë personalisht dhe as nëpërmjet një vartësi, pra jo vetëm unë, por as nëpërmjet vartësve të mi nuk kam dërguar shkresë drejtuar zotit Shkëlzen Berisha. Dokumenti i pretenduar nga opozita se një shkresë lëshuar nga unë në drejtim të zotit Shkëlzen Berisha është kryekëput falsifikim. Më poshtë po rendis faktet që dëshmojnë këtë. Çdo shkrim në dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk është i Ministrit të Drejtësisë, pra i Aldo Bumçit, gjë që vërtetohet shumë thjesht nga verifikimi i kaligrafisë. Shkrimi im si ish-Ministër Drejtësie gjendet në qindra dokumente. Fakti i dytë, në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal, pra që protokollohet dhe ruhet në këtë ministri që të përmbajë shënimin në fjalë. Fakti i tretë, përgjigja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dërguar Ministrit të Mbrojtjes, pra mendimi ligjor që kemi dërguar për shkresën mban datën 9 Mars 2007. Në këtë shkresë nuk ka asnjë shënim. Shënimi ekziston në një shkresë dërguar me fax në datën 13 Mars 2007, pra katër ditë më vonë. Çfarë nevoje kisha unë si ministër drejtësie të ridërgoja një shkresë katër ditë më vonë? Deklaroj dhe një herë që as vetë dhe as nëpërmjet një vartësi nuk ka pasur një ridërgim shkrese. Fakti i katërt, dhe një fëmijë e kupton se nëse unë si ish-ministër drejtësie dhe zoti Shkëlzen Berisha kishim interes të komunikonim për këtë çështje nuk do e bënim nëpërmjet fax-it. Do e bënim në forma të tjera, për më tepër që përmbajtja e mendimit ligjor është shumë e shkurtër, është shumë e thatë. Parimisht shprehemi dakord për të komunikuar këtë mendim ligjor, parimisht shprehemi dakord unë s’kam nevojë ta bëj me fax, mund ta bëja në shumë forma të tjera.”/tvklan.al