Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffrey, takoi gjatë mesditës prokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku. Takimi ku u lejuan vetëm pak çaste kamerat dhe jo gazetarët, ka zgjatur rreth një orë. Aty qe i pranishëm edhe drejtori i programit, të përbashkët të departamentit amerikan për ndihmën e institucioneve të drejtësisë të Europës Juglindore, zoti Aleksandër.

Ai u tregua i gatshëm për një bashkëpunim mes strukturave amerikane dhe prokurorisë shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë takimit u vlerësua si i efektshëm zbatimi i projektit task-force për krimet e rënda, i cili do të hapet zyrtarisht nesër. Ndërkohë zoti Aleksandër siguroi se task-force në të cilën do të bashkëpunojnë persona të kualifikuar dhe në kushte të mira materiale, do të jetë e vetmja zgjidhje për të përballuar fenomenin e krimit të organizuar.

Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeffrey pohoi ndihmën e vazhdueshme që i ofron prokurorisë shqiptare. “Ne ndjekim suksese dhe ndihmojmë në problemet që ju keni dhe se në këtë rrugë keni mbështetjen tonë”, tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, u ftua nga drejtori i programit amerikan për drejtësi, në vendet e Europës Juglindore, të marrë pjesë në takimin me temë, “Lufta kundër terrorizmit”, që do të zhvillohet muajt e ardhshëm në Washington./tvklan.al