“Inteligjenca artificiale përballë inteligjencës njerëzore”, kështu titullohej një konferencë e mbajtur në Romë në Senatin e Republikës Italiane, një takim që kishte për qëllim për të bërë një bilanc të shumë çështjeve të debatuara kohët e fundit.

Takimi u organizua me nismën e ambasadores së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zonjës Majlinda Frangaj, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të politikës dhe shkencës në Itali, ndër të cilët profesor Domeniko Talia nga Universiteti i Kalabrisë, shkencëtarja Franceska Panessa nga Instituti Kombëtar i Astrofizikës apo senatori Lucco Malan. Takimi u drejtua nga gazetarja Manuela Tulli.

Në tryezën ku u fol konkretisht për Inteligjencën Artificiale, për bioinformatikën, apo përdorimin e Inteligjencës Artificiale në fushën e astrofizikës, ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj mbajti fjalën përshëndetëse, duke falenderuar për pjesëmarrjen edhe At Paolo Benantin, këshilltar i Papa Françeskut, për Inteligjencën Artificiale dhe kreu i Komisionit të Kryeministrisë për Informacionin.

Ambasadorja Frangaj rrëfeu se si në Shqipëri, Inteligjenca Artificiale është çështje dite pasi është një instrument përmes të cilit qeveria shqiptare po përpiqet të përshpejtojë integrimin europian.

“Shqipëria është vendi i parë që përdor inteligjencën artificiale për të përfunduar procedurat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nëse ka sukses, është i destinuar të udhëheqë rrugën për të gjitha vendet e tjera të interesuara. Pas gati dhjetë vitesh me statusin e vendit kandidat, kjo mund të jetë një pikë kthese për ta hequr Tiranën nga lista e pritjes dhe për ta udhëhequr me shpejtësi drejt Brukselit”, tha Frangaj.

Ambasadorja theksoi edhe se po përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, po synohet të ulet niveli i korrupsionit dhe të përkthehen në shqip mbi 280 mijë masa ligjore që janë pjesë e standardeve europiane, që të përshpejtohet afrimi i Tiranës me BE-në.

U citua edhe mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes, që këtë vit iu kushtua Inteligjencës Artificiale dhe Paqes. Sipas Pontifikatit, Inteligjenca Artificiale duhet të ndihmojë dhe jo të zëvendësojë mendimin njerëzor.

Senatori i Fratelli d’Italia, Lucio Malan, ritheksoi rëndësinë e futjes së zhvillimit teknologjik në një kuadër vlerash etike në mënyrë që “makinat të jenë gjithmonë në shërbim të qenieve njerëzore”.

Diskutimi u pasurua nga ndërhyrjet e profesores Blerina Sinaimeri, profesoreshë e asociuar e shkencave kompjuterike në Universitetin Luiss, e cila diskutoi mbi aplikimin e Inteligjencës Artificiale në sektorin e shëndetësisë; Profesoresha Francesca Panessa, studiuese në Institutin Kombëtar të Astrofizikës dhe gazetari i Avvenire Mimmo Muolo, i cili trajtoi çështjet e aplikimit të Inteligjencës Artificiale në komunikim.

Ky takim u pasqyrua nga disa media, si agjencia prestigjioze italiane e lajmeve ANSA që shkrimin e saj e titullon “Inteligjenca artificiale, cila është e ardhmja për demokracinë-një event i organizuar nga Ambasada Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë”, nga e përditshmja tjetër e njohur vendase “Avenire” që shkruan se “Inteligjenca Artificiale është aleate dhe jo armike, por duhet etikë”, si dhe nga Radio Vatikani e disa televizione.

Tv Klan