Tenderimet e medikamenteve nga Ministria e Shëndetësisë dhe planifikimet e barnave nga vetë stafet mjekësore ka qenë një praktikë e gabuar që çoi në krizën e ilaçeve në spitale.

Kështu ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë vizitave të saj në spitalet e Bilishtit dhe Korçës.

Në takimin me mjekë dhe infermierë të spitalit të Korçës, Godo, është shprehur se reforma që do të nisë në Janar të vitit të ardhshme synon menaxhimin më të mirë të fondeve nga vetë spitalet dhe dhënien fund njëherë e mirë të mungesës së medikamenteve elementare.

Anila Godo: “Duke pasur vetë paratë në dorë do të dini më mirë se ne të bëni planifikimet e duhura dhe prokurimet të venë ndesh me këto planifikime, jo siç kemi konstatuar në shumë rrethe ku kanë qenë dy drejtëza që nuk priten, planifikimet në njërën anë dhe prokurimet çuditërisht të bëra si pa mend në kokë dhe pa shqisat e duhura, prokurimet kanë vajtur në anën tjetër. Ju nuk do të keni më të drejtë në fund të 2009-tës, t’i kërkoni ministrisë pse mbeta pa glukozë, apo s’kemi ultrakorten apo s’kemi dopaminë apo medikamente të tjera të cilat për asnjë lloj arsye nuk duhet të mungojnë. Janë baza e aktiviteteve në spital”.

Ministrja e Shëndetësisë ka garantuar rivënien në punë të skanerit të këtij spitali. Një ditë më para Godo ka vizituar edhe pavijonet e spitalit të Bilishtit ku ka theksuar se për vitin 2009 janë planifikuar investime që do të përmirësojnë shërbimin shëndetësor në këto zona./tvklan.al

Gazetare: Danjela Zisi