Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Antologjia Udhëheqësit e Botës, “Leaders of the World”, botuar nën kujdesin e drejtpërdrejt të Kombeve të Bashkuara, prezantohet me një kopertinë ku shfaqet fotografia e Ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme Ilir Meta. Kjo antologji e prezantuar disa ditë më parë, përmban fjalimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Asamblesë të Kombeve të Bashkuara, të mbajtura në sesionin e 55-të të saj.

Fjalimet e përmbledhura në një antologji të veçantë prezantojnë politikat dhe eksperiencat përkatëse të shteteve anëtare për periudhën e tranzicionit historik. Duke iu referuar mesazheve të dhëna nga drejtuesit e shteteve, përmbledhja përmban qëndrim mohues, ndaj teorisë së përplasjes së qytetërimeve.

Kjo antologji, përmban vlera përsa i përket studimeve historike dhe politike, si dhe mund të përbëjë një bazë të mirëfilltë informative dhe praktike për politikanë karriere.

Ndër fjalimet e liderëve botëror është renditur edhe fjalimi i Zv/kryeministrit shqiptar, njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, mbajtur në sesionin e OKB-së në Shtator të vitit 2002. Ndërsa fotografia e Metës është përzgjedhur nga editorialistët e botimit, si prezantuese në kopertinën e antologjisë “Udhëheqësit e Botës”./tvklan.al