Edhe për tre gjyqtarët e Apelit të Posaçëm, Alfred Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës bleu vota në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Gjykata e Apelit vendosi këtë të martë të lërë në fuqi dënimin me 2 vite burg për të, si fajtor për korrupsion zgjedhor dhënë nga Shkalla e Parë në fillim të këtij viti.

Me 3 vite shërbim prove u dënua bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi. Ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, tha se procesi hetimor dhe gjyqësor ka pasur pikëpyetje.

“Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështje ngrenë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit. Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është një kërkesë plotësisht demokratike që eurodeputetët të kenë mundësinë të paraqitet personalisht në të gjitha punimet e PE duke filluar që nga korriku”, tha ambasadorja greke.

Një javë më parë, Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi kërkuan pafajësi duke ngritur pretendime për prova të papërdorshme dhe hetim politik. Nga ana tjetër, SPAK i qëndroi kërkesës për fajësi ndaj të dyve, duke argumentuar se hetimet provuan se Beleri dhe shtabi i tij elektoral dhanë para në këmbim të votave.

Tv Klan