Ardian Turku është ligjërisht Ministri i ri i Kulturës.

Pas propozimit nga ana e kryeministrit Sali Berisha dhe miratimit të dekretit nga presidenti Bamir Topi, Ardian Turku, do të nisë punën në krye të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

Lajmi për postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Turku e ka marrë ndërsa është përfaqësues me të drejta të plota i qarqeve të Shqipërisë në kongresin e autoriteteve rajonale të këshillit të Evropës që po mbahet në Strasburg.

Aktualisht Turku është kryetar i këshillit të qarkut në Elbasan, detyrë që e mban që prej vitit 2007.

Pas zgjedhjeve të këtij viti Turku zgjidhet kryetar i këshillit të qarkut në Maj të vitit 2007 e në vazhdim.

Gjatë periudhës Tetor 2003-Shkurt 2007 Ardian Turku ka qenë kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Ai është diplomuar në degën Matematikë-Fizikë në Universitetin e Tiranës.

Pas përfundimit të universitetit ai u specializua për Psikologji në universitetin e Tiranës. Më pas punoi për vite me radhë si pedagog psikologjie në Universitetin e Elbasanit dhe zv/rektor i tij.

Turku u bë i njohur në universitetin e rajonit duke dhënë mësim si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tetovës.

Afrimi i tij me politikën nisi fillimisht me Partinë Republikane. Më pas Ardian Turku nën mbështetjen e Partisë Demokratike u zgjodh kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Ardian Turku është i martuar dhe baba i dy vajzave./tvklan.al