Në orën 19:45 të së shtunës kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e tretë eliminatore të Botërorit kundër Hungarisë në stadiumin që mban emrin e futbollistit më të famshëm vendas, Ferenc Pushkash.

Futbollistët kuqezinj kanë kryer pasditen e së premtes stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të luhet ndeshja në të cilin është përcaktuar edhe formacioni i saktë që do të zbresë nga minuta e parë përballë Hungarisë.

Shqipëria do të fillojë ndeshjen me Beqajn në portë, Taku, Curri, Beqiri dhe Vangjeli në mbrojtje. Në mesfushë për të shkatërruar aksione dhe kundërshtarët janë Cana dhe Lala. Duro, Skela dhe Agolli do të ndihmojnë sulmuesin e vetëm që do të jetë Erjon Bogdani.

Atmosfera në radhët e lojtarëve është e mirë. I vetmi që do t’i mungojë skuadrës do të jetë Hamdi Salihi, i cili nuk mundi të rikuperojë në kohë.

Hungarezët nga ana tjetër e kanë vlerësuar Shqipërinë si një kundërshtar, të cilin duhet ta mundin patjetër, kjo sipas trajnerit holandez, Kuman.

Skuadra e tij do ta nisë menjëherë me sulm lojën ndaj Shqipërisë pasi fitorja është e vetmja mundësi për të patur një pozicion të mirë në grup për të shpresuar më pas në kualifikim./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe