Armando Broja është një nga futbollistët e kombëtares më të kërkuar në këtë merkato vere. Sulmuesi kuqezi është duke shqyrtuar ofertat për të ardhmen e tij, me Çelsin që është gati ta lërë të lirë nëse i vjen propozimi i duhur.

Ndërsa për 22 vjeçarin ka pasur interesim nga Premier Liga, Serie a, edhe në Turqi e ndjekin me vëmendje. Me marrjen e drejtimit të Fenerbahçes, Zhoze Murinjo po shikon për të afruar emrat e duhur në ekip. Dhe Broja është në listën e dëshirave të teknikut 61 vjeçar.

Në Turqi është një tjetër klub i madh nga Stambolli, që e dëshiron. Beshiktashi prej javësh kishte shfaqur interesim për sulmuesin kuqezi dhe futjen në garë të rivalëve të Fenerbahçes e shikon si një tentativë grabitjeje, raporton media turke “FotoMaç”. Derbi në merkato mes të dyja klubeve nga Stambolli pritet që të bëhet edhe më i ashpër në javët në vazhdim.

Te Beshiktashi futbollistët shqiptarë janë në modë. Me gjigandët turq luajnë Milot Rashica dhe sulmuesi kuqezi Ernest Muçi. Drejtuesit e klubit kanë nisur kontaktet edhe për mbrojtësin Ardian Ismajlin.

Klan News