Të mbledhur në një resort në Gjirin e Lalzit për të bërë analizën e anëtareësimeve teë reja, anëtarët e Asamblesë Socialistë dëgjuan për afro 60 minuta kryetarin e tyre të flasë për një mori çështjesh.

Të gjitha lidheshin në një pike në faktin se sipas Edi Ramës, Partia Socialiste dhe fuqizimi i saj ju duhet si mjete për të vazhduar të qëndrojnë në pushtet e për të vazhduar ato procesin e intergimit dhe fuqizimit të vendit, që kryesocialisti thotë me bindje që nuk mund t’i bëjë dot asnjë forcë tjetër.

Edi Rama: Ne sot jemi oferta më e mirë, përmirësimi i vazhdueshëm i ofertës sonë për vendin dhe njerëzit, duhet të jetë ambicia jonë krejt e pavarur nga niveli i ulët i ofertave të tjera konkuruese në hapësirën politike. Ne s’jemi në këtë hapësirë thjesht për të marrë më shumë vota se të tjerët, po për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për Shqipërinë dhe më shumë zgjidhje për shqiptarët.

Por kundërshtarët me të cilët siguron që nuk u bë asnjë pazar, kujton se ju duhen për të bashkuar votat për çështje që kanë interes kombëtar.

Edi Rama: Më vjen mirë që mesa kuptoj Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit. Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar, e jo veç për të folur secili për të vetët, por sidoqoftë shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në tryezën e Komisionit të Ligjeve një draft-rezolutë për të nxitur një debat të madh publik, lidhur me sfidat kombëtare të anëtarësimit në BE dhe reformat e masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë, pa humbur kohë. 

Asesi, sipas tij nuk ka një dakordësi me opozitën siç u përfol për të bashkuar votat për të vendosur drejtësinë nën kontroll.

Edi Rama: U fol këto ditë për pazare, marrëveshje me Non Gratën në dëm të drejtësisë e njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lideri i Partisë Demokratike, ashtu sikundër është folur lartë e poshtë, portaleve e socialeve, për trembje të socialistëve nga Spaku e për plane të fshehta për vënien nën kontrollin e shumicës të drejtësisë të re. Të gjitha janë broçkulla, që tregojnë se sa të vështirë e ka një pjesë e bashkësisë sonë shqiptare, e yshtur nga ata që dëgjon dhe ndjek në politikë, në media a në mexhelisin e rrjeteve sociale, të kuptojë ose të pranojë se Partia Socialiste e kësaj gjenerate, po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë.

E duke folur për drejtësinë, ripërsëriti se nuk do të ndërhyjë në çështjet e saj dhe kur ajo do të vendosë në bankën e të akuzuarve, ata mes socialistëve që Rama i quan drurë të shtrembër.

Edi Rama: Jo vetëm s’ka shans, që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e Reformës në Drejtësi, në flamurgrisësen e saj, po kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas e djathtas, lart e poshtë, dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë. ne kemi detyrën të jemi në lartësinë e kësaj kohe, të lemë drejtësinë të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembër në radhët tona – shyqyr që ia arritëm kësaj dite.

Po me drejtësinë u more kur foli për absurdin e bllokimit nga organi i akuzës të një investimi miliona Euro në Limionin e Sarandës.  

Edi Rama: Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë Euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.  Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.

Por pavarësisht këtij rasti, qeveria thotë Rama, është e vendosur të investojë në mbrojtje, ku pjesë e planit është dhe përfshirja e investimeve private.

Edi Rama: Ky është një angazhim që kemi marrë si vend i NATO-s, por ky është edhe një moment tjetër historik për rrethanat e krijuara që na e imponon këtë për ta bërë me mendësinë dhe me standartet e NATO-s, duke hapur kapitullin e investimeve të mëdha private në industrinë moderne ushtarake, siç kanë bërë të gjitha vendet e NATO-s dhe siç bëjnë të gjitha vendet që e shikojnë mbrojtjen si një prioritet.

E duke folur për investime private, kryeministri u ndal gjatë për të folur për lajmin e pohuar nga Jared Kushneri, dhëndri i ish-Presidentit Trump për një projekt në ishullin e Sazanit dhe ironizon deklaratat e opozitës për këtë investim.

Edi Rama: Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe! Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë  Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, – ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot-  i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit! 

Shyqyr xhanëm, se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo me investime, e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë qesharake akuzat e shpifjet e tyre për ta! 

Rama siguron se nuk ka vend për alarm, kjo nuk është oferta e parë ndërkombëtare që ka ardhur për Sazanin, por kanë pritur atë të duhurën që sipas tij, i jep hove turizmit elitar dhe gjeneron ekonomi e punësim për vendin.

Edi Rama: Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. Ne nuk do ta shesim as Sazanin e as asnjë zonë tjetër me pronësi shtet tek asnjë i huaj, tjetërkush i nxorri të tëra tokat e shtetit, përfshirë edhe Sazanin, në pazarin e botës me 1 euro dhe nuk i erdhi asnjë i marrë në Shqipërinë e zhytur në kriminalitet, korrupsion, plehra, pluhur e shëmti ngado hidhje sytë dhe që bënte lajmë në botë vetëm për keq. Sot, Shqipëria në të gjitha mediat e botës ëhstë një lajm i mirë.

E duke u ndalur dhe tek punët e partisë, Rama i kënaqur me arritjen e 29 mijë antarëve të rinj që i janë bashkuar forcës që ai drejton, ju vë organizatave socialiste objektivin e ri për të afruar deri në Qershor kur do të mblidhet Kongresi Zgjedhor dhe afro 20 mijë anëtarë të tjerë duke e çuar në 50 mijë numrin e anëtarësimeve.

Tv Klan