Ky është 22-vjeçari shqiptar, Dhionis Kapllani, i cili mëngjesin e kësaj të marte ra pre e një atentati me armë zjarri në Athinë të Greqisë, ku mbeti i plagosur.

Sipas të dhënave të autoriteteve greke ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit teksa i riu lëvizte me një makinë tip Smart ku ishte pasagjer, ndërsa autorët udhëtonin me një mjet Audi.

Kur të dy makinat kanë ndaluar, 22-vjeçari nga Erseka ka zbritur nga automjeti dhe në atë moment drejt tij është qëlluar 8 herë me armë zjarri nga një 26-vjeçar grek që ndodhej në Audi.

Nga të shtënat, Dhionis Kapllani ka mbetur i plagosur në kofshë, ndërsa dy automjetet janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke e lënë të riun në rrugë.

Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar ambulancën dhe i riu është dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mediat greke raportojnë se 22-vjeçari kishte dalë nga burgu të hënën pasi ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.

Gjithashtu në vitin 2022 ai së bashku me persona të tjerë ka qëlluar me armë zjarri ndaj mjetit të një shtetasi grek.

Në 30 qershor 2021 ai është kapur bashkë me 3 shqiptarë të tjerë me 2 kg kokainë dhe 5 kg marijuanë.

Nisur nga veprimtaria e tij kriminale, hetuesit grek dyshojnë se ngjarja lidhet pikërisht me të shkuarën e errët të të riut nga Erseka.

Tv Klan