Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Opozita fajëson mazhorancën socialiste për degjenerimin e seancës plenare në debate e fyerje. Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Bamir Topi shprehet, se kjo situatë vjen nga e majta parlamentare, pasi nuk merr parasysh asnjë kërkesë të opozitës, sipër miratimin e projektligjeve të rëndësishme, ashtu edhe për debatin e kohëve të fundit për ish-të përndjekurit politik.

Bamir Topi: “Ne kurrsesi nuk do të pranojmë alibinë që përdorën socialistët, që është opozita ajo që bllokon parlamentin, në fakt është mazhoranca ajo që po e bllokon parlamentin. Deputetët nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë edhe përsa i përket penalizimit. Deputetë socialistë, e kanë bërë hak të dalin nga parlamenti dhe të penalizohen në raste të tjera, gjë që s’ka ndodhur, kjo tregon që zoti Pëllumbi e drejton atë institucion i konfiguruar në mënyrë të dukshme si politikan i së majtës, ndërkohë që pozicioni, rregullorja dhe Kushtetuta u kërkon që ai pozicion të jetë i paanshëm”.

Sipas Topit, parlamenti nuk zhvillon punimet normalisht, pasi socialistët kanë për interes të kalojnë projektligje që mbrojnë monopolet e tyre./tvklan.al