Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Banka e Shqipërisë i kërkon institucioneve financiare transparencë në lidhje me taksat, shpenzimet dhe të ardhurat. Në një raport të miratuar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thuhet se mungesa e transparencës së qeverisë në lidhje me politikën fiskale, mund të rrezikojë edhe rritje të inflacionit.

Nëpërmjet këtij raport, Banka Qendrore kërkon që qeveria të bëjë transparente vendimet e saj mbi taksimin e popullsisë, kryerjen e shpenzimeve dhe mbledhjen e të ardhurave, pasi pa këto të dhëna, kontrolli mbi inflacionin vetëm nga Banka e Shqipërisë, nuk do të jetë i mundur.

Institucionet financiare janë akuzuar kohët e fundit për mungesë transparence edhe nga FMN. FMN ka kërkuar që ndryshimet në taksa të paketës fiskale të fundvitit të diskutohen gjerësisht me biznesin dhe të mos miratohen me nxitim në fund të vitit. Rreziku për rritjen e inflacionit është paralajmëruar prej kohësh nga Banka e Shqipërisë, si rezultat i efekteve psikologjike në prag të zgjedhjeve lokale në Tetor./tvklan.al