Me tone të ashpra kryeministri Berisha ka kërkuar nga mazhoranca qeverisëse luftimin e korrupsionit në të gjitha institucionet e pavarura, përfshi këtu edhe atë të drejtësisë dhe prokurorisë. Këtë deklaratë Berisha e bëri në mbledhjen e grupit demokrat, ku u shpreh dhe njëherë pro rënies së murit të  imunitetit ndaj të gjithë zyrtarëve.

Sali Berisha: “Ne jemi absolutisht të përcaktuar 1 herë dhe 1 mijë herë për pavarësinë e institucioneve të pavarura. Por në qoftë se kjo pavarësi shkon në atë shkallë sa nuk lejon transparencën, kjo kthehet në një fatkeqësi. Nga transparenca s’duhet të ketë frikë askush. Hanë barë shqiptarët, që nuk shohin një gjykatës në 12 vjet të përballet me ligjin, në një kohë kur i ka aferat më të mëdhatë të tyre, të faktuara, dokumentuara me dokumente, me kontrolle me fakte të pa kundërshtueshme. Çdo të thotë kjo, asnjë prokuror të mos përballet me ligjin edhe kur falsifikojnë, shesin, gjobisin për dosjet”.

Shefi i qeverisë gjithashtu ka kërkuar në mbledhjen e grupit domosdoshmërinë e thellimit të reformave duke ftuar opozitën të bashkëpunojë ashtu siç përsëriti dhe një ditë më parë në një konferencë për shtyp, ku bëri një përmbledhje të arritjeve të luftës anti korrupsion në shifra konkrete bazuar në raportin e Transparency International./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operatori: Metlin Kepi