Një projekt që sistemon ujërat e zeza në kanalizime të posaçme ka përfunduar në zonën e Bregut të Lumit, pjesë e njësisë bashkiake 11 në Tiranë. Vlera e investimit arrin 36 milion lekë të reja, e prej tij përfitojnë 1100 familje ose rreth 5 mijë banorë.

Kryetari i qeverisë shoqëruar nga ministrat Olldashi dhe Bregu, ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të këtij projekti. Takimi më banorët i dha mundësinë kryeministrit t’i garantojë ata për të tjera ndërhyrje, për një infrastrukturë moderne në të gjithë territorin e Bregut të Lumit.

Në njësinë bashkiake 11 në Tiranë janë bërë 5 herë më shumë investime se në 17 vitet e marra së bashku, tha Berisha, por siç theksoi me tej kryeministri do të jetë Tirana kryeqendra e investimeve. Një moment ky që kryetari i qeverisë e shfrytëzoi për të ironizuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ashtu si edhe në disa dalje publike të tij.

Sali Berisha: “Rikujtoj kryetarit aktual me korrespondencë të bashkisë, zotit Rama, se në këto tre vjet, fondet që qeveria ime ka siguruar për Tiranën, janë 20 miliard lekë, 18 milion euro. Kredi e marrë nga qeveria shqiptare për shkollat e Tiranës, kurse kryetari i bashkisë me korrespondencë akoma s’ka dorëzuar më shumë se tre të tilla. Ju jeni dëshmitarë që kjo qeveri bëri Tiranën më hyrjen europiane. Atij mendja i ka ngel tek Zogu i Zi dhe gropa që ia mbyllën pas Pallatit të Kulturës, por ne mendjen e kemi tek projektet madhështore.”

Kryeministri tha me siguri se të tjera projekte të rëndësishme do të zbatohen në Tiranë, për ta shndërruar atë në një qytet europian. Të njëjtën linjë do të ndjekë edhe zhvillimi i zonave periferike, përfshi Bregun e Lumit për të cilin kryeministri premtoi mbështetje për të financuar çdo projekt për zonën.

Gazetare: Menada Zaimi