Mbylljen e procesit të ratifikimit të protokollit të NATO-s nga 26 vendet anëtare të Aleancës më të madhe ushtarake në të, kryeministri Berisha e cilësoi moment kulmor në marrëdhëniet e vendit e botën e lirë. Procesi u mbyll në kohë rekord, në 6 muaj e 10 ditë prej 9 korrikut 2008, datë kur u nënshkrua protokolli për anëtarësim deri në 17 shkurt të vitit 2009.

Sali Berisha:Përfundimi i këtij procesi në një kohë rekord dëshmon për një nivel të pa precedentë, të besimit dhe vlerësimit të Shqipërisë nga vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të planetit. Ratifikimi do të ishte tërësisht i pamundur, pa kursin dhe suksesin e reformave që ndërmori qeveria ime në të gjitha fushat, e transkriptoj këtë si shkallën më të lartë të përgjegjësisë për të thelluar më tej kursin e gjithanshëm të reformave. Për të konsoliduar në këtë vend lirinë dhe vlerat e saj, zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme hapësirat e saj.”

Kryeministri tha se qeveria që drejtonte tejkaloi kështu dhe një angazhim që u kish premtuar shqiptarëve në vitin 2005, tashmë jo vetëm ftesa, por dhe anëtarësimi është një proces i sigurt, por përpjekja e demokratëve në këtë drejtim daton më herët që në vitin 1992.

Sali Berisha:Në forcën politike të mazhoracës së atij viti dhe të opozitës së mëvonshme ishin 2-3 individë pro atlantistë, ishin zoti Majko dhe zoti Meta dhe ndonjë tjetër, ndërsa pala tjetër bënte rezoluta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por unë e quaj një zhvillim shumë pozitiv faktin që më vonë Partia Socialiste mori një qëndrim qartësisht pro Atlantisë.”

 Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë mbështetjen ndërkombëtare në këtë drejtim, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duket se këtë mirënjohje kryeministri e rikonfirmoi kur tha se çdo kërkesë që vjen nga SHBA për angazhim të Shqipërisë në fushën e sigurisë, do ta shqyrtojë me prioritet përfshi këtu dhe programin raketor, çështje për të cilën Berisha u kujdes ta theksojë, se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sali Berisha:Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vendosje raketash apo instalimesh. Si anëtare e ardhshme e NATO-s, Shqipëria do të përmbushë çdo detyrim ndaj aleancës dhe si vend që ka një prioritet më të madh, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria absolutisht shqyrton dhe do shqyrtojë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë të këtij vendi mik, i cili punon për paqen dhe sigurinë në botë edhe një herë theksoj nuk ka asnjë kërkesë.”

Garantimi i sigurisë duket të jetë përfitimi kryesor më i madh i shqiptarëve në këtë fazë të procesit për anëtarësim në NATO që do të finalizohet në prill në Samitin e Aleancës në Strasburg./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi