Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në jug të vendit, ka kryer inaugurimin e një sërë objektesh të rëndësishme të infrastrukturës. Fillimisht ai është ndalur në Orikum, ku ka përuruar fillimin punimeve për ndërtimin e unazës së re, me vlerë 1,1 milion dollarë.

Sali Berisha: “Unaza e domosdoshme e këtij qyteti, e cila kushton rreth 1,1 milion dollarë, ka një shkrirje të përpjekjeve financiare që ky qytet të bëhet siç e meriton, një qytet perlë.”

Më pas po në Orikum Berisha ka bashkëbiseduar me biznesmen dhe banorë të zonës, duke u ndalur tek zhvillimi i turizmit. Kreu i qeverisë tha se këto përurime janë pjesë e investimeve të financuara nga Banka Botërore, qeveria qendrore dhe pushteti vendor që shtrihen nga Orikumi në Ksamil. Vlera e tyre arrin në 37 milion dollarë. Berisha ka vlerësuar edhe një herë planin e miratuar nga KRTRSH-ja për bregdetin Jonian.

Sali Berisha: “Dje KRTRSH-ja miratoi detyrën projektimi për Radhimin dhe Orikumin, detyrë në të cilën u përcaktua që ndërtimet në këtë zonë do të jenë në përputhje me planin e bregut jugor të Shqipërisë.”

Në Orikum kreu i ekzekutivit ka përuruar edhe tregun e ri.

Sali Berisha: “Një treg i cili ju bën të mundur prodhuesve, fermerëve të kësaj zone të servirin qytetarëve në mënyrë të prodhimet e tyre.”

Në fjalën e tij kryeministri Berisha premtoi para të pranishmëve mbështetje për zhvillimin e resorteve turistike dhe u kërkoi atyre që të mos bien pre e babëzisë, por të ndërtojnë objekte të vogla të cilat i përkasin së ardhmes. Në të njëjtën kohë ai ftoi biznesmen të zonës që të lidhen me studio turistike më në zë të Evropës. Vizita e kryeministrit ka vijuar më tej me përurimin e disa objekteve të tjera publike në Dhërmi, Ilias, Gjilek dhe Vuno, kryeministri ka përuruar edhe rrugën që lidh manastirin e Shën Thedhorit me kanion e Gjipesë me vlerë gati 30milion lekë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro