Lajme Arkiva 2003

Qytetarët e Lushnjës kanë pritur mjaft entuziast kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha i cili vajti për të prezantuar kandidatin Kadri Gega. Tribuna e kandidatëve demokrat ishte përqendruar te sheshi para bashkisë së qytetit që pretendon ta drejtoj për këtë 3 vjeçar Gega i Partisë Demokratike.

Veç premtimeve që janë të përfshira në programin elektoral të Partisë Demokratike, Gega shprehet se zyrat e bashkisë do të shndërrohen në pritje dhe në përcjellje të popullit.

Kadri Gega: Të kthehen zyrat më të domosdoshme në shërbim të popullit pikërisht këtu në Lushnjë. Unë bashkë me ju jemi të lodhur dhe të fyer sepse jemi të detyruar të udhëtojmë deri në Berat për një vulë apo për një firmë. Unë po e mbaj këtë fjalim para fasadës së kësaj ndërtese që sapo është bojatisur ditët e fundit. Po të hedhim sytë në pjesën e pasme të kësaj ndërtese lulëzojnë shkurre dhe kallama që ndoshta nuk gjenden as në këneta e moçalishte.

Nga ana e tij lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ftuar të gjithë qytetarët e Lushnjës të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike si alternativa më e mirë për zgjidhjen  e të gjitha problemeve të tyre. Berisha ka përmendur edhe të gjitha mundësitë shfrytëzuese të rrethit të Lushnjes, por që sipas tij nuk vlejnë deri sa vendi të drejtohet nga socialistët e korruptuar.

Sali Berisha: Myzeqeja mbetet djerrë sepse duka i krimit, Ministri i Bujqësisë është importuesi numër 1 i ushqimeve në Shqipëri ndaj edhe i kalb në fushë prodhimet e Myzeqesë. Myzeqeja mbetet djerrë, sepse qeveritarët shqiptarë dyfishuan taksat e plehrave kimike, dyfishuan taksat e kimikateve, të farave të të gjitha importeve tuaja bujqësore.

Demokratët kërkojnë ta kthejnë qytetin e Lushnjes në rrugën e begatisë rendit dhe stabilitetit, por kjo arihet nëse lushnjarët votojnë për Partinë Demokratike./tvklan.al