Amendimet që janë bërë ligjet e legalizimeve pas vendimit të presidentit të republikës për ta kthyer për rishqyrtim në parlament, nga kryeministri Sali Berisha vlerësohen si thelbësore për mbrojtjen e interesave të ish-pronarëve edhe pse në komisionin e veprimtarive prodhuese ky ligj ka kaluar pa votat e opozitës, kryeministri ka përshëndetur deputetët e grupit të tij për kompromisin e arritur për ndryshimin e ligjit të legalizimeve.

Sali Berisha: “Ligji për legalizimet mendoj unë, janë bërë kompromise të arsyeshme të cilat përfillin më mirë interesat e pronarëve, bëjnë disa specifikime të domosdoshme.”

Ndërkaq kryeministri ka lënë porositë e tij për dy ministrat e linjës dhe komisionin e ekonomisë për rishikim të formulës së vlerësimit të pronës që aktualisht, sipas kryetarit të mazhorancës është bërë në mënyrë abuzive.

Sali Berisha: “Kjo është një nga pengesat më serioze të zhvillimit të pronës, për shkak të falsitetit. Mund të ketë ndonjë territor në Tiranë që prona vlerësohet 350 mijë lekë, po ka territore të tëra me qindra km katrorë, mos të them mijëra km katrorë ku vlera nuk është as 10 euro dhe vlerësohet 150 euro. Të caktojmë në terma reale dhe jo mashtrimi çmimet të cilat faktikisht kanë paralizuar procesin.”

Kryeministri ka kërkuar nga opozita që bashkëpunimi mes tyre të vijojë edhe për reformën e pronës që ai e vlerëson si shumë të rëndësishme dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë pse jo dhe brenda mandatit të tij si kryeministër.

Sali Berisha: “Të nisësh dialogun me opozitën para se të vish në qeveri, të bëjmë një diskutim për të marrë në rast se arrijmë një qëllim të përbashkët, se këto nuk janë reforma që mund t’i bësh si vegu i Penelopës, këto janë reforma që po u vendosën duhet të qëndrojnë për 30-40 vjet. Në qoftë se unë thashë, që do jem 35 vjet në politikë unë nuk thashë se do jem 35 vjet kryeministër, ndonjëherë edhe mund të zbres nga kali ndonjëherë hipi dhe në kalë prapë. Edhe po të më thonë 35 vjet, jo them se pastaj del e kuptoni vetë ju, kap limitin e Enver Hoxhës, ashtu s’mund të bëhet kurrë ajo. Do të jetë shumë mirë po të mund të marrim një konsensus, por ne çështjen nuk mund ta lëmë në këtë mënyrë.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka