Sali Berisha ka vijuar me akuzat për kryeministrin Edi Rama lidhur me pronat e familjes së tij në zonën e Vunoit që opozita pretendon se janë grabitur. Faktin se Rama nuk publikoi dokumentat zyrtare në përgjigjen publike për akuzat e opozitës, Berisha e cilëson si provë se kryeministri po gënjen.

“Edi Gjipeja nuk paraqiti dot hartën. Ai me heshtjen e tij pranoi se ka mashtruar publikisht shqiptarët.”

Berisha i drejton 7 pyetje kryeministrit që synojnë të provojnë se është ushtruar presion ndaj drejtuesve te Agjensia e Trajtimit të Pronave pasi sipas Berishës, kanë refuzuar të regjistronin pronën e familjes së Edi Ramës.

“A ke bërë presion ti mbi Artan Lamen që vendimi i refuzimit nga ATP të kërkesës së nënës tuaj të ndjerë dhe kushërinjve të saj të mos zbardhej me qëllim që të fshiheshin arsyet e refuzimit?”

Berisha e akuzon Ramën se ka ndryshuar 2 ligje për pronën dhe ka nxjerrë 7 VKM në mënyrë që të përfitohej prona nga të afërmit e tij, por vetë kryeministri në reagimin e tij javën e shkuar tha se çështja për këtë pronë të trashëguar nga gjyshi i tij, pret ende të shqyrtohet nga gjykata dhe se ai vetë ka hequr dorë nga çdolloj trashëgimie.

Kryeministri rreshtoi të gjithë procedurën në kadastër dhe në gjykatë që 11 trashgimtarët, mes të cilëve dhe vëllai i tij kanë ndjekur për një pronë që ai thotë është 22 ha pyll dhe kullota shumë larg bregdetit. Ai lajmëroi se do ta padisë për shpifje Partinë Demokratike, ndërsa deklaroi se të përfshirë në montimin e këtyre akuzave janë dhe qarqe ekstremiste greke.

Tv Klan