Protesta e ditës 162 në mbështetje të Berishës, ishte një ditë e veçantë për demokratët pasi gjykata i njohu si kryetar liderin e tyre historik. E ky gëzim nuk u fsheh as nga vetë Berisha, i cili në fjalën e tij nuk ngurroi ta cilësonte si historike vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Sot është ditë e mirë, për çdo demokrat e demokrate, por që është me PD dhe flamurin e saj. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por ka fituar demokracia, ka fituar çdo shqiptar. I vetmi i humbur sot është Edvin Kristaq Rama.”

Nuk mungoi as falenderimi ndaj gjyqtarëve që sipas tij shpëtuan pluralizimin duke ndalur grabitjen e flamurit të PD.

“Sot gjyqtarë guximtarë kryen aktin më të madh të trimërisë; ato guxuan dhe thanë të vërtetën. Patriotë të vërtetë injoruan çdo kërcënim dhe vendosën ne përputhje me ligjet e kushtetutën.”

Berisha duke e cilësuar Rithemelimin si histori suksesi, lëshoi një apel për bashkimin e demokratëve.

“Demokrate e demokratë, sot nuk ka më parti me vulë, parti pa vulë. Sot nuk ka më PD të vërtetë, PD të pavërtetë. Sot ka vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar rreth flamurit të saj, flamurit të lirisë, flamurit të fitores. Sot ka vetëm një opozitë të bashkuar.”

Gjithashtu ish-kryeministri i bëri thirrje çdo opozitari për t’u bashkuar rreth PD-së, pasi sipas tij, pa këtë parti, Rama nuk mund të rrëzohet nga pushteti.

Tv Klan