Mijëra qytetarë u mblodhën sot në sheshin Skënderbej për të falur namazin e Fitër Bajramit, një ditë kjo e rëndësishme për besimtarët myslimanë.

Po aq e rëndësishme në këtë festë është edhe dhënia e lëmoshës për njerëzit në nevojë, që kjo ditë e rëndësishme t’i gjejë mirë të gjithë.

Edhe urimet në këtë ditë të rëndësishme, që vjen një muaj pas agjërimi për besimtarët, nuk shkuan vetëm për lutje dhe sakrificë të pranuar por edhe një mesazh që njerëzit të jenë më solidarë me njëri – tjetrin.

“U uroj të gjithë besimtarëve myslimanë që Zoti t’u ketë pranuar agjërimin dhe gjithë shqiptarëve gëzuar Bajramin për shumë vjet! Kjo festë qoftë e bukur dhe e mirë dhe për gjithë vitet e tjera, paqe, mirësi e begati, paqe për familjet tona”.

Ndërsa për xhaminë e Namazgjasë, kryetari i Komunitetit Mysliman thotë se shpreson që shumë shpejt ajo të hapë dyert.

“Edhe ajo xhami do të mbarojë kur të mbarojë dhe do të falemi aty,për ditën e xhuma, por edhe për Bajramin pse jo?”

Besimtarët nuk kursyen urimet, ashtu si Elez Fishti i cili thotë se nuk e humbi besimin dhe nuk e ndërpreu agjërimin as në regjimin komunist.

“Për t’u falur në xhami nuk mund të faleshe, ndërsa për agjërim, agjërimin e mbaje”.

“Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet dhe uroj që paqja të mbizotërojë në botë, të mbarojë lufta”.

“Për besimtarët kudo që të jenë, ju ruajttë Zoti!”

Edhe në Shkodër sheshi në qendër të qyetit u mbush me besimtarët të cilët falën Fitër Bajramin.

Pas një muaji agjërim, edhe në Fushë-Krujë, besimtarët falën Bajramin në stadium. Sheshet u mbushën edhe në Elbasan, Gjirokastër, Lushnje, Lezhë dhe Korçë.

Tv Klan