Zëvendëskryeministri i ri Genc Pollo dhe dy ministrat Beja e Godo kanë bërë betimin para presidentit të republikës, pasi kanë marrë dhe miratimin e parlamentit. Në një ceremoni të shkurtër ku vihej re mungesa e përfaqësuesve të qeverisë, Pollo dhe ministrat e rinj të Arsimit dhe Shëndetësisë kanë marrë zyrtarisht detyrën e tyre.

Vetëm një orë më vonë ata kanë marrë pjesë dhe në të parën mbledhje të Këshillit të Ministrave. Duke përgëzuar anëtarët e rinj të kabinetit të tij qeveritar, po dhe detyrën që kanë marrë përsipër, me një hyrje të gjatë kryeministri ka folur për punën e mirë që është bërë nga Pollo në krye të arsimit, ndërsa ka shprehur besim se me të njëjtin përkushtim do të punojë dhe ministri i sapo emëruar Beja.

Për anëtaren më të re të kabinetit zonjën Godo, ka dhënë dhe direktivat për ecurinë e reformës së vështirë në sektorin e shëndetësisë.

Sali Berisha: “Zoti Pollo gjatë periudhës që drejtoi Ministrinë e Arsimit, ja doli që në zbatim të projektit të qeverisë të reformojë sistemin, të cilat unë kam bindjen se zoti Fatos Beja, një nga politikanët më të sprovuar, njëri që e njeh arsimin do të vazhdojë thellimin e këtyre reformave. Zonja Godo, lufta kundër korrupsionit të këtij sistemi duhet të jetë përparësi e të gjitha përparësive për ju, por në këtë sistem ne kemi probleme madhore, ne kemi bluza të bardha të cilët në shërbimin publik këtë garantuar me ligj dhe kushtetutën si shërbim falas e shesin si shërbim privat të tyre për të mbushur xhepat dhe kontot.”

Pas prezantimit për përfaqësuesit e rinj të qeverisë Berisha ka ndarë detyrat për të gjithë kabinetin e tij, detyra që duket se do të pengojnë ministrat të pushojnë në muajin e nxehtë të gushtit.

Sali Berisha: “Meqenëse siç e dini shumë gjë për të mos thënë gjithçka është “about the money” e lidhur me paranë, unë kërkoj nga ju zotëri ministra që javën e fundit të gushtit të keni dorëzuar buxhetin.”

I kënaqur me rritjen e përfaqësimit të grave në kabinetin qeveritar pas emërimit të zonjës Anila Godo, kryeministri nuk ka harruar të nënvizojë këtë fakt, duke shkëmbyer batuta me ministren e vjetër tashmë në detyrë, zonjën Majlinda Bregu.

Sali Berisha: “Si harrova të të pyes ty, si ndihesh ti sot?”

Majlinda Bregu: “Më mirë se asnjë ditë tjetër.”

Sali Berisha: “Bravo kaq e kisha.”

Majlinda Bregu: “Madje do të ndihem më mirë kur të kemi më shumë shoqe.”

Sali Berisha: “Dhe akoma më mirë kur në këtë krah të jetë një shoqe.”

Majlinda Bregu: “Absolutisht po.”

Sali Berisha: “ Kësaj here mbeti po njëherë tjetër prapë se unë e kam dhënë atë afatin tim.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Ben Haxhiaj