Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi, ka mbledhur sot në një takim pune grupin e punës të ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave, për kartën e studentit. Kjo iniciativë e nisur nga Këshilli Rinor Shqiptar dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës do të nisë së shpejti të formësohet dhe të konkretizohet me angazhime dhe veprime konkrete.

Bashkëpunimi me institucionet do të synojë të krijojë klimën e duhur të punës në grup, për të përgatitur draftin e përbashkët, për statusin ekonomik të studentëve.

Blendi Klosi: “Është një kartë e cila i afron shumë lehtësira nga shteti, në të gjithë aktivitetet kulturore, rinore, sportive dhe po ashtu në lëvizjet e transportit urban dhe ne gjithë shërbimet që shteti afron për qytetarët e tij. Po përpiqemi të realizojmë këtë kartë në këto dy muaj të verës, kur kemi një prurje shumë të madhe të të rinjve shqiptarë nga e gjithë bota, e sidomos studentëve dhe të diplomuarve jashtë, për të marrë nga ata opinionet dhe vlerësimet e tyre mbi realizimin e kësaj karte në vendet ku ata jetojnë”.

Për këtë qëllim, pikohet edhe karta e të riut me emrin Euro 26, e cila përcakton një kategori avantazhesh ekonomike për të rinjtë nën moshën 26 vjeç. Këto standarde aplikohen nëpërmjet kartave të ndryshme të identitetit, të cilat kanë në bazë të llojit edhe avantazhet përkatëse ekonomike.

Aktualisht në Shqipëri nuk aplikohet asnjë lloj standardi të kësaj natyre dhe të rinjtë shqiptarë në përgjithësi dhe studentët në veçanti, janë të vetmit në Europë, të cilët nuk përfitojnë nga këto të drejta, si të gjithë të rinjtë europianë./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani