Në buxhetin e shtetit kanë hyrë 15% më shumë të ardhura gjatë 3 muajve të parë të 2008 krahasuar me 1 vit më parë, duke arritur në një total prej 63 miliard lekësh. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode kjo është rezultat i rritjes së performancës në administratën fiskale.

Ridvan Bode: “Në realizimin  e këtij ritmit të të ardhurave sigurisht që të ardhurat tatimore dhe sidomos të ardhurat nga tatimet e doganat zënë peshën kryesore. E veçanta e këtij viti ka të bëjë me fakton që ne jemi në një vit kur tatimi mbi fitimin është sa gjysma e asaj të vitit të kaluar, ndërkohë që në realizimin e të ardhurave vërejmë një rritje çka do të thotë kemi një pakësim të informalitetit dhe të evazionit në këtë lloj takse me më shumë se dy herë.”

Ndërkaq Bode u tërhoqi vëmendje bashkive të cilat vazhdojnë ritmikën negative në drejtim të të ardhurave.

Ridvan Bode: “Niveli total i të ardhurave të ardhura nga pushteti vendor është 2.5 miliard lekë, ndërkohë që vitin e kaluar në tremujorin e parë ka qenë 2.7 miliard lekë edhe pse gjatë kësaj periudhe numri i bizneseve të regjistruara të raportuara nga pushteti lokal ka ardhur në rritje niveli i arkëtimeve nga taksat vendore po vjen gjithnjë e më shumë në rënie.”

Ndërsa  në lidhje me shpenzimet kreu i financave pohoi mosrealizimin e planit për tremujorin, periudhë e cila u mbyll me një sufiçid prej 10 miliard lekësh, e cila pjesërisht ka shkuar në formën e kredisë së përkohshme KESH-it. Megjithatë Bode u shpreh se këto fonde bashkë me tejkalimet në të ardhurat do të destinohen në përshpejtimin e investimeve publike në muajt në vijim./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro