Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Serbët kërcënojnë sërisht kufirin shqiptar. Predhat e artilerisë serbe kanë goditur në orët e para të ditës së sotme fshatrat kufitare shqiptare në rrethin e Hasit. Rreth orës 1 të mëngjesit të sotëm artileria serbe ka qëlluar për minuta të tëra në drejtim të fshatit Dobrun të rrethit të Hasit në afërsi të kufirit shtetëror.

10 predha artilerie kanë rënë në afërsi të fshatit Golaj qendër e komunës më të madhe të këtij rrethi 3km në thellësi të territorit shqiptar. Dëme materiale apo në njerëz ndërkohë që situata në këtë zonë vazhdon të mbetet e tensionuar nuk ka pasur.

Forcat ushtarake serbe kanë qëlluar dhe në mbrëmjen e djeshme me mortaja në drejtim të territorit shqiptar në zonën e komunës së Tropojës së vjetër. Tre predha kanë rënë në rrugën automobilistike Tropoj e Vjetër – Bajram Curri. Fshatrat kufitare të këtij rrethi janë boshatisur nga banorët dhe në to kanë mbetur vetëm burrat, të cilët krahas forcave kufitare dhe atyre të ushtrisë shqiptare po qëndrojnë në gadishmëri për mbrojtjen e trojeve të tyre./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori