Armando Broja ka kritikuar ish-trajnerin e tij të Chelsea Mauricio Pochettino për mungesën e ‘besimit’ dhe thotë se është i hapur për t’u larguar nga klubi në këtë merkato vere. “Blutë” e Londrës e ndërprenë kontratën me argjentinasin e në vend të tij kanë emëruar italianin Enzo Mareska.

Në një intervistë për “The Athetlic”, sulmuesi kuqezi nënkuptoi se largimi i teknikut e gëzoi, ndërsa në skuadër pa se kishte mundësi të limituara, madje edhe iu tha publikisht që të ‘ndryshonte gjuhën e trupit’.

22 vjeçari tregoi se përse fjalët e Pochettino-s, tek ai kishin pasur një ndikim negativ.

“U befasova, pasi unë pata momente të vështira për shkak të dëmtimit dhe ai tha diçka për mua që të isha më i lumtur. Ndjeva sikur nga ai duhej të kishte më shumë besim ndaj meje. Unë u aktivizova direkt në Premier Ligë, që duhet thënë se është e vështirë të performosh, por nuk isha në gjendje optimale. Doja përgjigje nga klubi, por nuk i mora! Ndaj ika, për më shumë minuta!”

Broja nuk e përjashton mundësinë e largimit në këtë merkato vere.

“Nëse më duhet të shkoj në një ekip tjetër që të kthehem në identitet, atëherë sigurisht që do të dua ta bëj atë! Por aktualisht, i gjithë përqendrimi im është që të bëj më të mirën për Shqipërinë në kampionatin europian.”

Broja u rikthye te goli me kombëtaren kuqezi në miqësoren kundër Lihtenshtejnit më 3 qershor.

Klan News