Investimet e huaja direkte kanë shënuar nivele historike për tremujorin e parë të këtij vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një fluks investimesh të huaja të cilat arrijnë në 354 milionë euro, me një rritje prej 15.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ashtu sikundër raportohet nga Banka Qendrore, aktiviteti i pasurive të paluajtshme listohet me kontributin më të madh të tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndjekur nga ndërmjetësimi financiar, hidrokarburet e energjetika.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara arritën në 209 milion euro, ose sa 59% e fluksit total të investimeve të huaja direkte. Ato u rritën me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, injektimi i kapitaleve të reja kishte vlerën e 144 milion eurove, me një rritje vjetore me vetëm 1%.

Sa i takon hartës së investitorëve më të mëdhenj lista kryesohet nga Holanda, Turqia e Italia.

Tv Klan