Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit mori vendimin për uljen e normës bazë të interesit për lekun me 0.5 pikë %. Guvernatori Ardian Fullani, theksoi se vendimi vjen në momentin e duhur për garantimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Ardian Fullani: “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën e interesit për marrëveshjen e … blerjes me 0.5 pikë %. Në këto kushte niveli i normës bazë e interesit sot ai në 5.57%. BSH vërtetoi se muaji janar krijojë premisat për më shumë hapësirë manovrimi duke mirëkuptuar ndryshimin e .. politikës monetare ndaj zbutjes së normave të interesit. Nëpërmjet këtij vendimi lejohet më shumë frymëmarrje për aktivitetin e ..”.

Guvernatori Fullani vlerësoi se ekonomia shqiptare i ka rezistuar krizës që goditi zemrën e sistemit financiar botërorë.

Ardian Fullani: “Përballë kësaj vale goditëse, ekonomia shqiptare ka shfaqur rezistencë gjatë periudhës në fjalë. Banka e Shqipërisë konstaton se aktiviteti ekonomik i vitit 2008, është zhvilluar përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillim vitit, si dhe për sa i përket rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike”.

Megjithatë për vitin në vijim, BSH vlerëson se mund të ketë ulje të prurjeve valutore si dhe shtrëngim të kushteve të financimit. Materializimi i këtyre faktorëve mund të ngadalësonte rritjen ekonomike.

Ulja e normës bazë të interesit për monedhën vendase, do të thotë ulje e kostos së huamarrjes që do të sjellë edhe rritjen e nivelit të kreditimit. Fillimisht ulja e % së interesit do të përcillet nga banka qendrore tek huat që u jep bankave tregtare. Ekspertët besojnë se dhe bankat që operojnë në vend, duhet të reagojnë duke reflektuar të njëjtën tendencë në normën e interesit për kreditë që i ofrojnë biznesit dhe konsumatorit shqiptarë.

Sipas BSH pranimi i prirjeve inflacioniste, pra i rritjes së çmimeve të mallrave apo të shërbimeve mbështeti manovrën e kostos së lekut. Ulja e normës së interesit me 0.5 pikë %, është një stimul që pritet t’i japë një frymëmarrje më të thellë ekonomisë shqiptare nëpërmjet furnizimit me para të mjaftueshme dhe sigurisht me një kosto më të ulët të huas. Nga ana tjetër normat e interesit për depozitat në lekë mund të njohin një ulje, kjo në varësi të politikave që ndjekin bankat në vend./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Montazh: Ergis Hasanbelli