Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në takimin me bankierë dhe përfaqësues të bankave që operojnë në vend ka deklaruar se Shqipëria në vitin 2009, do të përballet me të panjohura e vështirësi si rrjedhojë e krizës globale financiare.

Ardian Fullani: “Sipas të dhënave më të fundit sistemi bankar shfaqet fitimprurës, treguesi i kthimit mbi aktivet gjatë vitit 2008 pritet të jetë 1.17 %, ndërkohë që treguesi i kthimit mbi kapitalin të jetë 14.7%. Një vit i ri po troket në derë njësoj si shumica, ekonomia të ndryshme të botës dhe vendi ynë gjendet përpara 1 viti me shumë të panjohura. Nuk do doja ta anashkaloja faktorët e brendshëm, por gjithsesi ajo që sot konsiderohet çështja më e nxehtë, ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm global, ka kohë që parashikimet e agjencive të ndryshme të institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botërorë. Do të ishte utopike dhe deri diku shprehja e mungesës së kujdesit nëse do të mendojmë se ekonomia jonë e vogël do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë megjithëse një ekonomi e vogël, është i hapur me lidhje të shumta shkëmbimesh mallrash dhe fondesh financiare”.

Në këtë drejtim Fullani kërkoi vëmendjen dhe bashkëpunimin e bankave për të marrë masat e duhura në përsosjen e infrastrukturës bankare.

Ardian Fullani: “Viti 2009 do të jetë një vit i vështirë e për rrjedhim çdo kush duhet të marrë masat për të kuptuar drejt dhe për të interpretuar me profesionalizëm rolin e tij, për të mbajtur dinamikën ne zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, për të mbajtur dinamikën e konvergjencës së plotë evropiane, sistemi bankarë duhet me doemos të përsosë më tej infrastrukturën e tij”.

Fullani kërkoi gjithashtu nga përfaqësuesit e bankave që të jenë më aktivë në tregu e parasë duke krijuar likuiditetin e nevojshëm për tregun financiar./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi