Historia e Irena Steinovës e rrëfyer në emisionin “Opinion” në Tv Klan tingëllon e pabesueshme. Për rubrikën “Shqiptarët në botë” ajo tregon se është lindur në Tiranë, babai ishte nga Dibra ndërsa nëna një çekosllovake hebreje. Irena jeton prej 33 vitesh në Be’er Sheva në Izrael pas një morie ngjarjesh të forta që kanë shenjuar familjen e saj.

Irena Steinova: Babai ishte student në universitet në Pragë dhe aty njohu nënën. Erdhën në mars të vitit 1939.

Blendi Fevziu: Dhe erdhi, mori edhe nënën çekosllovake me vete në Shqipëri?

Irena Steinova: U mor me politikë dhe me pushtimin italian e internuan si antifashist në Itali, pastaj kur u kthye nga Italia ishte deputet në qeveri dhe komunistët më 25 tetor 1944 e futën në burg. Mamaja ngeli vetëm me dy fëmijë dhe familja fisnike tiranase Çaslli e mbajti si vajzën e vet. Dy vjet nëna ishte në depresion sepse familja hebreje në Çekosllovaki iu asgjësua në kampet e Aushvicit. Ngeli me ata, edhe sot si një familje, nëna na ka  rritur me dashuri për ta. Babai ishte intelektual dhe kishte shumë miq, por kur u fut në burg, u larguan miqtë.

Blendi Fevziu: Si me të gjithë.

Irena Steinova: Familja e inxhinierit ia mbajti derën të hapur gjithmonë, me ata vazhdoi miqësinë, jemi rritur me dashuri të  mahde.

Blendi Fevziu: Kur u transferove në Izrael?

Irena Steinova: Në 1991 na u dha mundësia që  të riatdhesohemi meqë nënën e kisha hebreje dhe kishim dokumente.

Blendi Fevziu: Nëna ishte gjallë akoma?

Irena Steinova: Nëna ka ndërruar jetë në 1985 por kishim dokumentin e lindjes, kishim dokumentin e martesës që u bë në Çeki dhe na u dha leja. Kemi 33 vjet./tvklan.al